Të mbrojmë shendetin nga sëmundjet e shkaktuara nga tymi i duhanit
Synopsis
Tymosja e duhanit mbetet ndër problemet shqetёsuese të shoqёrisё dhe të shëndetësisë në nivele botërore, është faktor madhor i dëmtimit të shëndetit të popullatës, është një e keqe e globalizuar. Duhani është drogë e lehtë e lejuar nga të gjitha shtetet. Tymosja e duhanit shkakton tabagismin, që fillon me dipendencën ndaj nikotinës dhe vazhdon me dëmtimet në organet të shkaktuara nga 4700 lëndët toksike, irituese, inflamatore dhe nga 75 substanca kancerogene, të çliruara nga djegia e duhanit. Sipas OBSH Tymi i duhanit mban primatin tragjik, si shkaku i dytë i vdekjeve në botë, por është dhe shkak që mund të shmanget.
Të dhënat shkencor kanë vertetuar se tymosja e duhanit e shkurton 10 - 12 vite jetën e duhanxhijëve, pra vdesin para kohe, humbin një pjesë të konsiderueshme jete, vetëm për të shijuar kënaqësinë e përkohëshme të drogës nikotinë. Rreth 50 % e duhanxhinjëve vdesin nga sëmundje të shkaktuara nga substancat toksike, irituese, inflamatore dhe kancerogene në tymin e duhanit. Rikujtojmë se 80 - 98 % e kancereve të bronkeve dhe mushkërive zhvillohen në duhanxhitë, që tymosin mbi 20 cigare në ditë, në ata që tymosin me llullë dhe me nargjile, por zhvillohen dhe kancere të gojës, të fshikzës urinare, të stomakut, të ezofagut etj.
Një ndër tre duhanxhi vdes nga sëmundje kardiovaskulare, ndër të cilët 60 % nga infarkti i miokardit. Një ndër efektet e herëshme të tymit të duhanit është rritja e presionit të gjakut, çka shprehet me ndërlikime në subjektet, që vuajnë nga hipertensioni. Në duhanxhijtë, ateroskleroza është e herëshme, me intensitet të lartë, e ndërlikuar me iskemi të trurit, me infarkt miokardi dhe nefrosklerozë të veshkave. Iskemitë dhe hemoragjitë e trurit janë 10 herë më të shpeshta në duhanxhijtë, se sa në ata që nuk tymosin duhanin. Sëmundjet e aparatit të frymëmërrjes janë të pranishme në 100 % të duhanxhinjëve, të shprehura me rihinite dhe laringite akute, bronkite akute dhe kronike, emfizemë, bronkopneumoni, bronkopati kronike obstruktive.
Ne shqiptarët përdorim një shprehje të papërshtatëshme, themi “po pi një cigare”, por tymi i duhanit nuk është lëng që pihet, përkundrazi cigaria tymoset, ose si thonë malësorët “po djeg një cigare”, andaj duhet të korigjohet kjo pasaktësi gjuhësore dhe të përdoret termi i saktë - tymosja e duhanit.
Në ligjin nr. 9636, datë 6.11.2006 “Për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit”, i miratuar nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, i përmirësuar me shtesat në vitet 2013, 2014, 2019, çuditërisht janë përdorur termat e gabuara: “pirja e duhanit” dhe “duhanpirësit” dhe askush nuk vepron t’i korigjojë këto gabime, ashtu si dhe shumë pasaktësi shkencore për dëmet e duhanit në këtë ligj.
Downloads



